Interpretim


Falë një rrjeti të pasur bashkëpunëtorësh në të gjithë territorin kombëtar, jemi në gjendje të ofrojmë shërbime interpretimi simultan dhe konsekutiv në çdo qytet italian, por nëse është e nevojshme jemi të gatshëm të punojmë edhe jashtë shtetit.

Çfarë do të thotë interpretim simultan, konsekutiv dhe chuchotage?

SIMULTAN

Gjatë interpretimit simultan punojnë gjithnjë të paktën dy përkthyes në kabinë për çdo gjuhë. Kjo është teknika më e përdorur gjatë mbledhjeve, konferencave, kongreseve ose seminareve ku pjesëmarrësit flasin disa gjuhë të ndryshme. Përkthyesi duhet të përdorë një fjalor të rrjedhshëm dhe të kuptueshëm nga të gjithë por mbi të gjitha duhet të përkthejë pothuajse paralelisht (2, 3 sekonda diferencë me folësin) ndërkohë që folësi është duke mbajtur fjalimin. Duke qënë se puna kërkon vëmendje dhe përqëndrim të veçantë, është e rëndësishme që përkthyesit t’i krijohen kushtet për të punuar sa më mirë: kabina e posaçme, mikrofoni dhe kufjet. Për shkak të përqëndrimit të lartë që nevojitet gjatë punës, çdo përkthyes punon mesatarisht 20/30 minuta rresht e më pas zëvendësohet nga kolegu i kabinës.

KONSEKUTIV

Interpretimi konsekutiv përdoret gjatë takimeve formale midis dy, tre ose më shumë personave. Ky përkthim kërkon një njohuri të terminologjisë së specializuar sipas temave të trajtuara dhe këshillohet kur pjesëmarrësit janë në numër të vogël dhe janë fizikisht të pranishëm të gjithë gjatë takimit. Interpretimi konsekutiv nuk kërkon përdorimin e kufjeve ose mikrofonit, mjafton që përkthyesi të ketë një bllok dhe një stilolaps për të marrë shënime. Ky lloj interpretimi kërkon kohë më të gjatë sepse nuk bëhet paralelisht si simultani: gjatë interpretimit konsekutiv folësi fillon fjalimin ndërsa përkthyesi merr shënime për rreth 6/8 minuta, kur i pari mbaron fjalimin i dyti fillon përkthimin.

CHUCHOTAGE ose pëshpëritje

Chuchotage, i cili quhet edhe përkthim i pëshpëritur, konsiston në një përkthim pothuajse simultan që bëhet duke folur afër veshit të njërit prej pjesëmarrësve. Ky përkthim bëhet kur në takim marrin pjesë një ose dy pjesëmarrës të huaj. Në rast se dëgjuesit dëshirojnë të flasin, atëherë përkthyesi kryen një interpretim konsekutiv për pjesëmarrësit e tjerë. Intepretimi i pëshpëritur kryhet nga një përkthyes i vetëm i cili ulet ose qëndron afër dëgjuesit, p.sh. kur ftohet një personazh i huaj në një talk show televiziv. Duke qënë se pëshpëritja me zë të ulët mund të rezultojë e bezdisshme për pjesëmarrësit e tjerë por mbi të gjitha e lodhshme si për përkthyesin ashtu edhe për dëgjuesin, kjo teknikë përdoret vetëm në raste urgjente.